Përplasje në Samit | Kryeministrja Daneze sfidon Orbanin: Nuk do lejojmë Hungarinë të vendosë për të ardhmen e Ukrainës në BE

1 minute, 59 seconds Read

Liderët evropianë kanë përmbyllur samitin e Komunitetit Politik Evropian me një riafirmim të mbështetjes së palëkundur për Ukrainën, ndërsa kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, lëshoi një paralajmërim të fortë: Rusia po e “teston” Evropën përmes provokimeve dhe sulmeve hibride në rritje.

Ajo theksoi se kërcënimi i Moskës shtrihet përtej Ukrainës. “Rusia po na vë në provë dhe më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku,” deklaroi Frederiksen, duke listuar si prova shkeljet e hapësirës ajrore, sulmet me dronë, presionin kufitar, ndërhyrjet në zgjedhje dhe sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.

Prandaj, Frederiksen bëri thirrje për një mbështetje më të fuqishme për Kievin, jo vetëm me armatime por edhe me sanksione shtesë. “Çdo euro që dërgojmë në Ukrainë është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë tonë,” pohoi ajo, duke shtuar se synimi është ta bëjnë Evropën aq të fortë sa një sulm kundër saj të mos jetë më një opsion.

Një sfidë e madhe mbetet kundërshtimi i Hungarisë për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Megjithatë, kryeministrja daneze u shpreh prerë: “Nuk do të lejoj një vend, dhe sigurisht jo Viktor Orbanin, të marrë vendime për të ardhmen e gjithë Evropës.” Ajo shtoi se nëse Budapesti nuk bindet, puna për pranimin e Ukrainës duhet të vazhdojë me 26 vendet e tjera anëtare.

I pranishëm në samit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i pyetur për sulme të mundshme ndaj infrastrukturës ruse, këmbënguli se Kievi vepron vetëm në përgjigje të agresionit. Lidhur me mundësinë e marrjes së raketave me rreze të gjatë veprimi nga SHBA, ai la të kuptohet se mund të ketë zhvillime pozitive: “Ndoshta do të kemi diçka më shumë. Do ta shohim.”

E pyetur specifikisht nëse Danimarka dhe Evropa janë gati të ndihmojnë Ukrainën të rrisë prodhimin e dronëve dhe raketave, përgjigjja e Frederiksen ishte një “Po” e prerë. Sa i përket kredive të dëmshpërblimit, ajo pranoi se ka sfida teknike e ligjore, por theksoi se në fund kërkohet një vendim politik për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të 27 vendet anëtare./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme