Pas zhurmës në mediat zvicerane, CIG thyen heshtjen për takimet “konfidenciale” në Solothurn

1 minute, 16 seconds Read

Organizata joqeveritare amerikane, “Council for Inclusive Governance” (CIG), ka lëshuar një deklaratë sqaruese pas raportimeve të medias zvicerane “NZZ” mbi takimet jozyrtare Kosovë-Serbi të mbajtura në Solothurn. Ndërsa institucionet dhe partitë pjesëmarrëse nuk kishin njoftuar paraprakisht për këto diskutime, CIG sqaroi natyrën e tyre.

CIG bëri të ditur se për më shumë se një dekadë, në bashkëpunim me MPJ-në e Zvicrës, kanë lehtësuar dialogun joformal mes partive politike nga të dyja vendet, përfshirë ato në pushtet dhe opozitë. “Këto takime nuk janë sekrete dhe nuk prodhojnë marrëveshje apo rezultate të negociuara. Ne publikojmë raporte përmbledhëse që pasqyrojnë qëndrimet e shprehura, por ato nuk paraqesin koncepte konsensuale. Pjesëmarrësit mund t’u referohen këtyre takimeve sipas Rregullit të Chatham House”, thuhet në sqarimin e tyre.

Sipas organizatës, qëllimi kryesor është krijimi i një forumi joformal ku palët mund të shkëmbejnë perspektiva dhe të ruajnë komunikimin kur kanalet zyrtare janë të bllokuara, duke kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në mbyllje të reagimit, CIG mohoi organizimin e takimeve bilaterale mes zyrtarëve të lartë, duke theksuar se bisedimet ndodhin vetëm në formate të përbashkëta me shumë pjesëmarrës. “Të gjitha takimet zhvillohen me rreth një duzinë pjesëmarrësish. Konfirmojmë se z. Bislimi dhe z. Gjuriq nuk kanë marrë pjesë kurrë së bashku në asnjë takim të organizuar nga ne”, përfundon njoftimi. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme