Bashkimi Evropian ka shtyrë sërish afatin për vendosjen e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane, në një lëvizje strategjike për t’i dhënë më shumë kohë diplomacisë. Ky vendim vjen menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi planet për të vendosur tarifa prej 30% mbi importet nga BE-ja, duke filluar nga 1 gushti.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi të dielën se pezullimi i kundërmasave evropiane, që kapin vlerën e 21 miliardë eurove, do të zgjatet deri në fillim të gushtit. “Shtetet e Bashkuara na kanë dërguar një letër me masa që do të hyjnë në fuqi nëse nuk ka një zgjidhje të negociuar, kështu që ne do ta zgjasim pezullimin”, tha ajo, duke theksuar se BE-ja preferon dialogun, por do të jetë “plotësisht e përgatitur” të kundërpërgjigjet nëse negociatat dështojnë.
Në letrën e tij, Trump paralajmëroi se nëse BE-ja hakmerret me tarifat e veta, ai do t’i rriste tarifat amerikane edhe më tej, mbi pragun 30%. Në një intervistë për Fox News, ai këmbënguli se tarifat po sillnin “qindra miliarda dollarë” në arkën e shtetit dhe se disa vende ishin “shumë të shqetësuara tani”.
Tarifat hakmarrëse të BE-së ishin planifikuar fillimisht si përgjigje ndaj taksave amerikane mbi importet e çelikut dhe aluminit. Ndërkohë, ministrat e tregtisë së BE-së pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar hapat e mëtejmë dhe për të koordinuar një përgjigje të përbashkët, raporton lajmishqip.