Pas 27 vitesh zbardhet vrasja e dy shqiptarëve në Beograd!

4 minutes, 42 seconds Read

I dyshuari për vrasje Zoran V., gjatë këtyre viteve kishte jetuar dhe punuar në Novi Sad ku është arrestuar për drogë dhe armë, ndërkohë që gjatë analizës së ADN-së së tij, u zbulua se i njëjti është i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve të ndodhur 27 vite më parë në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd.

Shkruan: Demir Reshiti

Para dy ditësh, derisa po shfletoja arkivin e gazetave, hasa në një shkrim me titull: “Në Beograd u vranë dy shqiptarë”. Bëhej fjalë për shkrimin e botuar në gazetën “Bujku” të datës 27 janar 1998 me autor A.B.Cani, në të cilin flitej për vrasjen makabre të dy shqiptarëve nga e njëjta familje, Haki (42) dhe Jakup (37) Avduti nga fshati Blaç i Opojës me vendbanim në Prizren.

Vrasja kishte ndodhur në katin e katërt të një objekti banesor në rrugën “Zmaj Jovina” të kryeqytetit serb dhe autoritetet policore kishin njoftuar se bëhet fjalë për dy vrasës të maskuar të cilët pas kryerjes së krimit ishin larguar në drejtim të pa njohur. Në këtë shkrim theksohej gjithashtu se policia kishte gjetur tek të vrarët “një shumë të madhe devizash”…

Meqë i njihja te dy të ndjerët (me Hakiun kisha një afërsi më të madhe shoqërore), kureshtja më shtyri që të hulumtojë se a është bërë ndonjë përpjekje për zbardhjen e këtij rasti, qoftë nga organet e drejtësisë, qoftë nga familjarët.

Vrasja kishte ndodhur në Beograd dhe në një kohë kur Kosova ishte në gjendje lufte me Serbinë, andaj nuk kishte ndonjë shpresë se do të zbulohej vrasësi, aq më tepër kur viktimat ishin shqiptarë…

Në përpjekje e sipër për të hulumtuar rastin, e vërejta një postim përkujtimor të mbesës së viktimave, Sara Salihu, e cila kishte postuar fotografitë e dajave të saj të ndjerë me rastin e 27 vjetorit të vrasjes. Sarës ia kërkova të mi dërgojë fotografitë dhe e pyeta nëse kanë ndonjë informacion se a e dinë familjarët se kush është vrasësi, a është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore dhe a është dënuar dikush për këtë vrasje? Ajo më tha se familja nuk ka informacione të tilla përveçse këto ditë është kapur vrasësi, dhe ma dërgoi vegëzën e një videoje të publikuar në youtube në kanalin e mediumit “Ditari Rajonit”, video që mbante titullin “Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e vëllezërve shqiptarë në Beograd”…
Në këtë video prej 1:16 sekondash (https://www.youtube.com/watch?v=fSrbwjDkzs4), mediumi në fjalë kishte shfrytëzuar pamjet e medias beogradase “Blic” e cila tregonte për arrestimin Zoran V. (48), të dyshuar për vrasjen e Haki dhe Jakup Avdutit.

Gazeta “Blic” shkruante ndër të tjera se dhe deri më tani i dyshuari për vrasje Zoran V., ka jetuar dhe punuar në Novi Sad ku është arrestuar për drogë dhe armë, ndërkohë që gjatë analizës së ADN-së së tij, u zbulua se i njëjti është i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve të ndodhur 27 vite më parë në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd.

Në shkrimin e saj të botuar pikërisht në ditën kur po bëheshin 27 vjet nga vrasja, ndër të tjera theksohet: “Aktakuza, e cila i është dorëzuar Gjykatës së Lartë në Beograd për vendim pas konfirmimit, e ngarkon Zoran V. për veprën penale Vrasje e rëndë. Prokuroria i propozoi gjykatës zgjatjen e masës së paraburgimit për të pandehurin për shkak të rrezikut të arratisjes. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se Zoran V. ka vrarë me të shtëna me armë zjarri Hakiun dhe Jakupin më 26 janar 1998, në katin e katërt të një pallati në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd. Ai ka ngjitur shkallët për në katin e katërt, ku ka vendosur një kapele të zezë të thurur me të çara për sytë dhe dorashka të thurura dhe kur të dëmtuarit kanë mbërritur në derën e banesës numër 14, ka qëlluar me pistoletë me 5 të shtëna në drejtim të tyre. Ai ka qëlluar Hakiun me tre të shtëna dhe Jakupin me dy të shtëna, duke iu shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën, dhe për pasojë të dy kanë ndërruar jetë.
Zoran V. më pas ka ngjitur shkallët në drejtim të daljes së ndërtesës, duke hequr kapelën dhe dorezat gjatë rrugës, të cilat i ka hedhur brenda në ndërtesë, pas së cilës është larguar nga ndërtesa dhe është larguar me një automjet të panjohur”.

Duke qenë se bëhej fjalë për dy familjarë të moshës 42 dhe 37 vjeçare, vrasja e tyre ishte përjetuar tepër rëndë nga familjarët dhe të afërmit duke e tronditur mbarë opinionin shqiptarë në Opojë, Prizren, Kosovë dhe më gjerë.
Fakti se ndjeri Hakiu ishte baba i katër fëmijëve (3 djem e një vajzë) ndërsa Jakupi kishte lënë dy fëmijë jetimë (një djalë dhe një vajzë) të cilët tashmë gati kanë arritur moshën e baballarëve të tyre të vrarë, zbulimi dhe arrestimi i njërit nga vrasësit është mirëpritur nga familjarët të cilët shpresojnë se dorasi do ta merr dënimin e merituar.

 

Publikime te ngjashme