Parada në Prishtinë “frikëson” Beogradin, Serbia kërkon ta “zgjidhë” statusin e Kosovës me shqiptarët, pa BE

1 minute, 48 seconds Read

Faktin që Serbia ka mbetur në vitet ’90 e konfirmon ministri i punës, veteranëve dhe çështjeve sociale, Nemanja Staroviç. Ai thotë se “vetëm serbët dhe shqiptarët mund të vendosin drejtëpërdrejtë për statusin e Kosovës”.

Por ministri serb harron që kjo çështje është zgjidhur dhe përfunduar tashmë me shpalljen e pavarësisë dhe të ligjëruar ndërkombëtarisht me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Staroviç pretendon se me ndonjë ndërmjetësim të Bashkimit Europian apo të një faktori të tretë dhe të huaj, nuk mund të diskutohet seriozisht për këtë çështje.

Ai vazhdon me retorikën dhe propagandën e zakonshme serbe, pa asnjë provë, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij se kërcënon ekzistencën e serbëve të Kosovës.

Sipas tij, shtetet e QUINT-it nuk bëjnë asnjë veprim konkret, përveç dënimit verbal të vendimeve të Prishtinës zyrtare. Duke folur për median Kosovo-Online, zyrtari serb konfirmon se e ka ndjekur paradën e ushtrisë dhe policisë së Kosovës.

“Militarizimi i një problemi politik nuk është asnjëherë i mirë, dhe një zgjidhje kompromisi është e nevojshme për Kosovën, sepse çdo zgjidhje ushtarake, e armatosur apo e dhunshme mund të jetë vetëm jetëshkurtër. Natyrisht, ne jemi të shqetësuar për procesin e militarizimit të situatës në terren, vendosjen tashmë të vazhdueshme në një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të atyre forcave speciale të militarizuara monoetnike të të ashtuquajturës Polici e Kosovës , të cilët provokojnë, ofendojnë dhe ngacmojnë fizikisht serbët.”Nemanja Staroviç, ministër i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale.

Ai pretendon se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri është kundër rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundër marrëveshjes së Kumanovës dhe planit të Ahtisarit.

Staroviç tha se nuk krahasohen kapacitetet ushtarake të Serbisë dhe Kosovës, por gjithsesi paralajmëroi një përgjigje, e cila sipas tij, do të vijë në periudhën e ardhshme.

Publikime te ngjashme