Pakti LVV-LDK në Mitrovicë: Pajtimi lokal që sfidon refuzimin në nivelin qendror

1 minute, 14 seconds Read

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshjen për koalicion në qeverisjen e Komunës së Mitrovicës së Jugut. Kuvendi Komunal u mblodh me urgjencë mbrëmjen e së dielës, pasi po skadonte afati i fundit ligjor për zgjedhjen e kryesuesit të ri.

Marrëveshja u zyrtarizua me zgjedhjen e Safet Kamberit nga radhët e LDK-së si kryesues, i cili mori 18 vota për, 10 kundër dhe dy vota të pavlefshme. Gjatë ditës së sotme, kryetari i komunës, Faton Peci, pritet të emërojë shumicën e ekipit të tij qeverisës.

Përveç pozitës së lartë në Kuvend, LDK-ja do të udhëheqë edhe me dy dikastere të rëndësishme në qeverisjen e Pecit. Bëhet fjalë për Drejtorinë për Ekonomi dhe Zhvillim, si dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, duke forcuar pozicionin e tyre në ekzekutivin lokal.

Faton Peci, i cili fitoi mandatin katërvjeçar në rundin e dytë të nëntorit, u betua një muaj më pas si kreu i komunës. Ai bashkëdrejton partinë Guxo me Donika Gërvallën, një subjekt i lindur nga nisma e presidentes Osmani dhe i rreshtuar ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ky koalicion në Mitrovicë është befasues, sidomos duke pasur parasysh faktin se në nivelin qendror, LDK-ja i ka refuzuar zyrtarisht dy ftesat e LVV-së për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme