Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka cilësuar si një akt diskriminues dhe të padrejtë vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për t’u ndarë pagën e 13-të ekskluzivisht punonjësve të sektorit publik.
Sipas vlerësimit të AKB-së, një përzgjedhje e tillë nxit ndarje të thella shoqërore, duke favorizuar një kategori të caktuar në kurriz të tjetrës, përkundër faktit se të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet private janë kontribuuesit e rregullt të arkës së shtetit.
AKB ka potencuar se sektori privat mbetet shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, si punëdhënësi më i madh në vend dhe gjeneruesi i të hyrave buxhetore, ndërkohë që, sipas tyre, po anashkalohet në mënyrë të pajustifikueshme nga ekzekutivi.
Në reagimin e tyre, AKB konsideron se paga e 13-të për administratën nuk është rezultat i meritokracisë, por një shpërblim i pastër selektiv dhe politik, i cili godet drejtpërdrejt parimet e barazisë dhe konkurrencën e ndershme në tregun e punës.
Organizata i bën thirrje qeverisë që të ndryshojë urgjentisht këtë qasje ndaj privatit, duke kërkuar subvencionimin e punëtorëve të këtij sektori dhe kategorive sociale, në mënyrë që të garantohet trajtim i barabartë për të gjithë taksapaguesit.
Në rast të kundërt, këto vendime do të degrandojnë klimën e të bërit biznes dhe do të zbehin besimin e qytetarëve te institucionet e shtetit, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini. /lajmishqip.net









