Google është akuzuar përmes një padie për përdorimin e asistentit të saj Gemini AI, me qëllim të përcjelljes së paligjshme të komunikimeve private të përdoruesve në platformat Gmail, mesazhe të menjëhershme dhe video-konferenca.
Më parë, përdoruesve të Gmail, Chat dhe Meet u jepej mundësia për të aktivizuar vullnetarisht programin e inteligjencës artificiale të Google.
Mirëpo, në tetor, njësia Alphabet aktivizoi “në mënyrë të fshehtë” Gemini-n për të gjitha këto aplikacione, duke i mundësuar mbledhjen e të dhënave private, sipas padisë së deponuar në gjykatën federale në San Jose, Kaliforni.
Ndonëse kompania i lejon përdoruesit ta çaktivizojnë Gemini-n, ata duhet të “gërmojnë” thellë në cilësimet e privatësisë së Google për ta çaktivizuar mjetin e IA-së, thuhet në padinë e propozuar për veprim kolektiv.
Nëse ky hap nuk ndërmerret, Google e përdor Gemini-n për të “pasur qasje dhe për të shfrytëzuar të gjithë historikun e regjistruar të komunikimeve private të përdoruesve, duke përfshirë fjalë për fjalë çdo email dhe bashkëngjitje të dërguar apo pranuar në llogaritë e tyre Gmail”, theksohet në padi.
Padia pretendon se Google po shkel Aktin e Kalifornisë për Pushtimin e Privatësisë, një ligj i vitit 1967 që ndalon përgjimin e fshehtë dhe regjistrimin e komunikimeve konfidenciale pa pëlqimin e të gjitha palëve të përfshira./lajmishqip.net
