Paçarizi thyen heshtjen: Distancohem nga çdo manipulim, duhet rinumërim total i votave

1 minute, 17 seconds Read

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Fetah Paçarizi, ka reaguar për herë të parë lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e rinumërimit të votave nga KQZ-ja, duke e cilësuar situatën aktuale si tejet serioze dhe shqetësuese.

Përmes një reagimi publik, ai ka ngritur dyshime të forta mbi integritetin e numërimit, duke theksuar se kjo po dëmton besimin e qytetarëve, raporton IndeksOnline. Për të garantuar transparencë dhe respektim të vullnetit të votuesve, Paçarizi kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë vendin, përfshirë edhe ato të diasporës.

“Ajo që po ndodh me rinumërimin nga KQZ është alarmante dhe ngre dyshime të arsyeshme mbi procesin. Për këto arsye, e shoh të domosdoshëm rinumërimin total, për të garantuar barazinë dhe vullnetin real të qytetarëve,” është shprehur ai.

Më tej, Paçarizi ka theksuar prerë se nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë proces, duke u distancuar kategorikisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim i mundshëm që mund të jetë bërë në emër të tij apo në dëm të votës së lirë.

Në fund, ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetime të pavarura, ndërsa kërkoi llogaridhënie nga KQZ. “Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie. Kërkoj transparencë dhe hetime, pasi manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore,” përfundoi Paçarizi./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme