Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qartësuar qëndrimin e saj zyrtar lidhur me arsyet se pse nuk bën nderime apo nuk vendos lule te pllakat përkujtimore të serbëve të vrarë. Ajo theksoi se nuk mund të bëjë nderime në vende ku njolloset emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë një interviste, Osmani deklaroi se mbrojtja e pastërtisë së luftës së UÇK-së mbetet një prioritet i palëkundur i saj. “Si presidente e Republikës, e them me krenari se nuk pranoj nga askush krijimin e një ekuivalence morale apo barazie mes krimeve të organizuara të Serbisë e regjimit të Millosheviqit kundër popullatës civile, dhe asaj që mund të ketë ndodhur në ndonjë rast individual,” u shpreh ajo.
Më tej, Presidentja riafirmoi qëndrimin e saj të palëkundur për kauzën e lirisë. “Besoj fuqishëm në drejtësinë e luftës që ka bërë UÇK-ja dhe këtë e vërtetë do ta mbroj deri në fund,” përfundoi Osmani, duke hedhur poshtë çdo tentativë për rishkrim të historisë. /lajmishqip.net
