Osmani: Për Kosovën Anëtarësimi në NATO është më Urgjent se BE-ja, Plotësojmë Kriteret Kryesore

1 minute, 24 seconds Read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë nga Berlini për median ndërkombëtare Politico, ka deklaruar se për Kosovën anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm dhe tejet më urgjent sesa procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.

“NATO-n e shoh më urgjente sesa integrimin evropian. BE-ja do të kërkojë kohë, edhe pasi të marrim statusin e vendit kandidat. Besoj se NATO është më e rëndësishme për rajonin në këtë moment. Për ne, të jemi në NATO do të thotë të jemi të sigurt”, është shprehur prerazi Osmani.

Ajo ka theksuar se Rusia ka plane dhe interesa afatgjata për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke e ngritur në këtë mënyrë nevojën për një prani më të fortë të aleancës veri-atlantike në rajon.

“Besoj se është në interesin strategjik të NATO-s të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Bosnje”, ka pohuar presidentja.

Osmani është shprehur e bindur se Kosova tashmë i përmbush kriteret bazë për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Ushtria jonë është ndërtuar dhe trajnuar sipas standardeve të NATO-s. Ka shumë ndërveprim që tashmë zhvillohet. Ne tashmë shpenzojmë më shumë se 2% të buxhetit për mbrojtje, që është një kriter i NATO-s. Brenda katër viteve planifikojmë ta dyfishojmë buxhetin për mbrojtje dhe të arrijmë shpenzime deri në 4% të PBB-së”, ka theksuar Osmani.

Presidentja nënvizoi se anëtarësimi në NATO do të ishte një garanci jetike për sigurinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, për stabilitetin e gjithë rajonit./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme