Osmani ia prezanton Costës dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc

1 minute, 41 seconds Read

Presidentja Vjosa Osmani ia ka prezantuar presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës, Osmani e Costa janë takuar në Bruksel në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas Osmanit, lënia në liri e terroristit Milan Radoiçiq në Serbi, është dëshmi që shteti serb nuk është i gatshëm për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

“Ajo prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës. Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhërat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radojqiç, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për hetimin e aktit terrorist. Ka falënderuar partnerët për solidaritet dhe ndihmë, tek ka thënë se me rëndësi është që të ketë fokus edhe në parandalim të sulmeve të reja.

Presidentja po ashtu ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës.

Më 29 nëntor në mbrëmje u sulmua me eksploziv kanali i ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të Zubin-Potokut. Kanali që furnizon një pjesë të konsiderueshme të qyteteve me ujë, dërgon ujë edhe për ftohjen e termoelektranave të KEK-ut.

Sulmi u cilësua terrorist nga autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Për rastin janë arrestuar disa persona në veri, ndërsa janë konfiskuar edhe arsenal armësh, uniformash e eksplozivë.

Publikime te ngjashme