Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësim të madh mbi vendimin e Ambasadës së SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
Në një deklaratë zyrtare, Oda theksoi se ky hap përbën një pengesë serioze për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit. Ajo kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ndryshojë qasje dhe të punojë në koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Oda Ekonomike Amerikane mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë e jopolitikë të veprojnë me përgjegjësi e urgjencë për rikthimin e besimit dhe të dialogut”, thuhet në reagim.
Sipas Odës, vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi konstruktiv me aleatët më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitet të qëndrueshëm, të debllokojë potencialet ekonomike dhe të sigurojë mirëqenie afatgjatë për qytetarët e saj./lajmishqip.net