Numërimi mbrapsht për krerët e UÇK-së: Caktohen datat e fjalëve përfundimtare dhe koha e limituar që kanë në dispozicion

1 minute, 11 seconds Read
Banner Description

Trupi Gjykues në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit njoftoi mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Prokurorit Special (ZPS), Trupi Gjykues ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklaratat përmbyllëse duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të paraqiten nga 9 deri më 13 shkurt 2026, me datat 16 dhe 18 shkurt të rezervuara për rast nevoje.

Para këtij vendimi, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për paraqitjen e kundërprovave, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e tyre. Po ashtu, u refuzua kërkesa e Mbrojtjes për apelimin e vendimit të mëparshëm që kishte refuzuar procedurën e veçantë për përcaktimin e dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim eventual i dënimit do të shqyrtohet në Aktgjykim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kenë mundësinë të mbrojnë pozicionin e tyre për herë të fundit në sallën e gjyqit, duke thënë fjalët e tyre përfundimtare. Secili prej tyre do të ketë në dispozicion 20 minuta.

Trupi Gjykues rikujton se deklaratat politike ose vërejtjet fyese ndaj palëve, pjesëmarrësve, dëshmitarëve apo viktimave nuk do të lejohen dhe nuk do të tolerohen, thuhet në vendim.

Publikime te ngjashme