Nënat e Srebrenicës kanë reaguar sot ndaj sulmit të turpshëm të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ndaj kryetares së Shoqatës “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, Munira Subashiq.
Ato e quajtën të neveritshme deklaratën e Ana Brnabiqit dhe i kujtuan asaj se fëmijët e tyre kanë vdekur dhe janë vrarë nga ata që gjejnë strehim në vendin që përfaqëson Brnabiq, transmeton Ballkani.info.
“Munira Subashiq nuk ka dëmtuar askënd dhe nuk ka kërcënuar se njëqind myslimanë do të vriten për një serb. Uleni kokën dhe kini turp”, thonë nënat e Srebrenicës.
Kujtojmë se Brnabiq ka manipuluar deklaratën e Subashiqit dhe e ka akuzuar atë se ka kërcënuar fëmijët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Më vjen keq që zoti Vuçiq nuk ka qenë sponsor i Rezolutës, që nuk e ka iniciuar atë dhe që nuk është bërë Willy Brandt që të jetojmë së bashku në paqe, harmoni dhe respekt për njëri-tjetrin. Mund të kemi një vend për të gjithë njerëzit në Bosnje dhe Hercegovinë, për serbët, myslimanët dhe kroatët”, tha në fakt Subashiq në fund të fjalës së saj. /Ballkani.info/