Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata e Pejës duke konfirmuar se pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave në Prishtinë, Estrida Bunjaku, Burim Vokrri, Vigan Bunjaku, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani do të vuajnë dënimin me burgim prej 20 vitesh dhe 330 mijë euro gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë në Apel kanë ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve avokatët, Liridon Tafa, Murat Demolli, Fanol Krasniqi, Naim Rudari dhe Ramiz Krasniqi, me pretendimet se Themelorja ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Ata i kanë propozuar Gjykatës së Apelit, t’i aprovojë ankesat e tyre si të bazuara, ndërsa aktgjykimin e atakuar ta anulojë dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza, apo çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, Apeli përmes vendimit të saj të marrë më 20.08.2024 ka vlerësuar se pretendimet e cekura ankimore të mbrojtësve nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Gjykata e Apelit, ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtëseve se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 dhe 2 të KPP-së, ngase dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe përpilimin e dispozitivit.
Në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar, thuhet se janë dhënë arsyet e duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike, duke vepruar konform dispozitave të nenit 369 par. 6 të KPPK-së, ku gjykata e shkallës së parë, ka paraqitur arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe atë si ato faktike dhe ato juridike, të cilat si të drejta dhe të ligjshme i aprovon edhe gjykata e Apelit.
Tutje, në vendimin e Apelit, në lidhur me pretendimin e mbrojtësit të të akuzuarës Estrida Bunjaku, se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje procedurale sepse mungon arsyetimi mbi faktet vendimtare të cilat përbëjnë elementet e figurës së veprës penale, thuhet se janë pretendime të pabazuara, pasi që në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete në raport me veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar për veprat penale për të cilat janë gjendur fajtore.
Ndërsa, për pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Vigan Bunjaku, se shkeljet esenciale konsistojnë edhe në atë se gjykata e shkallës së parë jo vetëm duke e mbështetur aktakuzën pa u lëshuar fare në verifikimin e saj, sipas Apelit janë pretendime të pabazuara.
“…në pikën e dispozitivit të aktakuzës së datës 12 maj 2016, të akuzuarit E.B, V.B dhe B.V, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale Krim i organizuar nga neni 274 par. 1 lidhur me par.2 e në raport me E.B par.3 të KPK-së (i vjetri), lidhur me veprën penale mashtrimi nga neni 261 par.1 lidhur me par.2 të KPK-së (i vjetri), megjithatë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve E.B, V.B dhe B.V, janë manifestuar elementet e veprës penale Mashtrim nga neni 335 par.5 me par.2 dhe par.1 lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së, duke përjashtuar kështu krim e organizuar”, thuhet në vendimin e Apelit.
Tutje, për pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Burim Vokrri se gjykata ka bërë shkelje esenciale për faktin se aktakuza është ngritur me kodin e përkohshëm, kurse gjykata e ka dënuar me kodin e ri penal, Apeli ka vlerësuar se as ky pretendim nuk qëndron.
“…është fakt se aktakuza është ngritur me kodin penal, që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes se veprës penale, megjithatë të akuzuarit janë shpallur fajtor për veprën penale mashtrimi të kryer në vazhdim, pasi që veprimet inkriminuese të akuzuarve përfshinë edhe periudhën kohore pas hyrjes në fuqi të Kodit Penal të publikuar në gazetën zyrtare Nr.19/13 korrik 2012, i cili ka hyrë fuqi nga 1 janar 2013, pasi që të njëjtit kanë kanë vazhduar ti mbajnë në lajthim të dëmtuarit për ndërtimin e banesave”, thuhet në vendim të Gjykatës së Apelit.
Kurse Ndërsa, për pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Xhemajl Arifi, se lidhur me këtë çështje është tejkaluar kompetenca ekskluzive e Gjykatës Themelorë në Prishtinë Departamenti Special, ndërsa këtë çështje e ka trajtuar gjykata e cila nuk ka pasur kompetence fare, sipas Apelit edhe këto pretendime janë të pa bazuara.
“Fillimisht përkitazi me kompetencën janë dhënë arsye të cilat i ka cekur edhe vetë mbrojtësi në ankese se në këtë çështje penal si palë të dëmtuar kanë qenë gjyqtarë dhe prokurorë, andaj me qëllim të mos vënies në pikëpyetje të objektivitetit të Gjykatëse Themelore në Prishtinë me rastin e vendosjes më këtë lëndë e njëjta është bartur për trajtim të mëtejme në Gjykatën Themelor në Pejë”, thuhet në vendim.
Gjykata e Apelit i ka konsideruar të pabaza gjithashtu edhe pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Valon Orllani, se në pjesën e fundit të aktgjykimit thuhet se “E.B i ka blerë një truall në fshatin Ll…. në sipërfaqe prej 5 ari, kurse në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se ky truall i blerë prej 5 ari nuk qenka blerë nga N.K por nga B.G”. Sipas vlerësimit të kolegjit, duke marrë për bazë faktin se kjo lëndë është voluminoze lëshimet e tilla mund të jenë evidente të cilat kanë mundur të rezultojë me gabim teknik.
Andaj, Gjykata e Apelit të gjeturat lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike sa i përket ankesave në raport me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ka konstatuar që gjykata e shkallës së parë edhe gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.
Ndërsa, të gjeturat për vendimin mbi dënimin, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, dhe vlerëson se pretendimet mbrojtëseve të akuzuarit për një dënim me të butë nuk janë të bazuara.
Prandaj, kjo Gjykatë, ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë si në dispozitiv të aktgjykimit është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë të veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, rrethanave të kryerjes, pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.
Prandaj, kjo Gjykatë, ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë si në dispozitiv të aktgjykimit është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë të veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, rrethanave të kryerjes, pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 15 qershor 2022, i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave, Estrida Bunjakun, Burim Vokrrin, Vigan Bunjakun, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin, duke i dënuar (së bashku) me 30 vite burgim dhe 450 mijë euro gjobë. Kurse, Faton Orllani ishte liruar nga aktakuza për veprën penale “Pastrim parash”.
Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, duke refuzuar akuzën ndaj të akuzuarës Estrida Bunjaku për veprën penale “Shmangie nga tatimi” dhe duke aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Valon Orllani, dhe Xhemajl Arifi.
Megjithatë, Themelorja edhe në rigjykim, më 19.10.2023, i kishte dënuar pesë të akuzuarit e lartcekur (së bashku) me 20 vjet burgim dhe 330 mijë euro.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkoheshin me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2 milionë euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendonte se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.
Prokuroria pretendonte se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.
Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.
E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.
Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohej me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare.”