Udhëheqësi më i lartë politik i Hamasit, Ismail Haniyeh është vrarë në Iran, ka konfirmuar grupi.
Garda Revolucionare e Iranit tha se Haniyeh dhe një nga truprojat e tij u “vranë” në kryeqytetin Teheran, njoftuan mediat shtetërore iraniane, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Në një deklaratë, Hamasi tha se ai u vra në “një sulm të pabesë sionist në rezidencën e tij në Teheran”.
Vrasja është një “akt frikacak që nuk do të mbetet i pandëshkuar”, citoi televizioni Al-Aqsa i drejtuar nga Hamas, të ketë thënë zyrtari i lartë i Hamasit, Moussa Abu Marzouk.
Haniyeh ishte në Iran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të vendit, Masoud Pezeshkian.
Garda Revolucionare tha se shkaku i vdekjes së tij ishte nën hetim dhe do të njoftohej së shpejti.
Hamasi më vonë tha se Haniyeh u vra në një sulm ajror dhe fajësoi Izraelin.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për vdekjen, por Izraeli ishte zotuar të vriste Haniyeh dhe udhëheqës të tjerë të Hamasit pasi grupi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë.
Më shumë se 39,360 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 90,900 të plagosur që nga fillimi i luftës, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka dënuar vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, sipas agjencisë së lajmeve WAFA.
“Presidenti i Shtetit të Palestinës Mahmud Abbas dënoi ashpër vrasjen e kreut të lëvizjes Hamas, liderit të madh Ismail Haniyeh dhe e konsideroi atë një akt frikacak dhe një zhvillim të rrezikshëm. Shkëlqesia e tij u bëri thirrje masave dhe forcave të popullit tonë që të bashkohen, të jenë të durueshëm dhe të palëkundur përballë pushtimit izraelit”, raporton WAFA.
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Husein Al-Sheikh, gjithashtu denoncoi vrasjen në një deklaratë të veçantë.
“Ne dënojmë me forcë vrasjen e kreut të Byrosë Politike, liderit kombëtar, Ismail Haniyeh. Ne e konsiderojmë një akt frikacak, kjo na shtyn të qëndrojmë më të palëkundur përballë okupimit dhe domosdoshmërisë për të arritur unitetin e forcave dhe fraksioneve palestineze”, tha ai. /Telegrafi