Serbia ka intensifikuar përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë. Millosh Vuçeviq, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i lartë i Presidentit serb, ka pozicionuar hapur Listën Serbe si të vetmen forcë legjitime, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë për mobilizim masiv.
Në këtë linjë, Komisariati për Refugjatë dhe Migracion i Serbisë ka ftuar personat e zhvendosur që të votojnë, duke përdorur sërish terminologjinë provokuese “Krahina Jugore” dhe “Kosovë e Metohi”. Në njoftimin e tyre theksohet se çdo votë është “përcaktuese për mbijetesën e popullit serb”, ndërsa u kujtohet votuesve se duhet të posedojnë letërnjoftime të vlefshme të lëshuara nga institucionet e Prishtinës.
Eksperti Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus” vlerëson se Beogradi ka kaluar tashmë nga ndikimi i tërthortë në një ndërhyrje të hapur politike. Sipas tij, ky “operacion hibrid” i udhëhequr nga Vuçeviq synon diktimin e vullnetit politik të serbëve të Kosovës përmes një agjende të centralizuar.
Ky fenomen nuk është i ri. Edhe në zgjedhjet lokale të tetorit, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e akuzuan Serbinë për ndërhyrje direkte. Po ashtu, misionet vëzhguese të BE-së në zgjedhjet e kaluara kanë konstatuar se Serbia ka ushtruar trysni sistematike ndaj votuesve serbë në Kosovë për të orientuar votën e tyre./lajmishqip.net
