Gjatë orëve të natës, Izraeli dhe Irani janë përfshirë në shkëmbime të ashpra zjarri, teksa Teherani ka lëshuar breshëri raketash e dronësh drejt aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, ndërkohë që Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh në frontin e dytë kundër milicisë së Hezbollahut në Liban.
Izraeli nën mbrojtje
Ushtria izraelite njoftoi se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani, duke aktivizuar menjëherë sistemet mbrojtëse për asgjësimin e tyre.
Përmes një komunikate në Telegram, u bë thirrje që qytetarët të veprojnë me përgjegjësi të lartë dhe të ndjekin udhëzimet, duke theksuar se këto masa shpëtojnë jetë njerëzish.
Popullata është udhëzuar të strehohet në hapësira të mbrojtura dhe të qëndrojë aty deri në një njoftim të dytë zyrtar.
Goditjet në Liban
Forcat izraelite konfirmuan gjithashtu mbrëmë vonë nisjen e një serie goditjesh të reja mbi objektivat e Hezbollahut në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Re të dendura tymi janë parë duke u ngritur mbi periferitë jugore të qytetit, të cilat njihen si bastione kryesore të kësaj organizate.
Alarmi në Kuvajt
Ushtria e Kuvajtit deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë arritur të ndalin raketa të nisura nga Irani për të dytën herë radhazi që nga mesnata.
Ministria e Energjisë bëri të ditur se shtatë linja të tensionit elektrik janë nxjerrë jashtë funksionit si pasojë e dëmtimeve nga rënia e mbetjeve të raketave.
Situata në Bahrein
Sirenat e alarmit u dëgjuan në Bahrein disa herë gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ministria e Brendshme e këtij vendi u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen menjëherë drejt pikave më të afërta të sigurisë.
Mbrojtja e Arabisë Saudite
Gjatë natës, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë deklaroi se ka arritur të detektojë dhe të shkatërrojë me sukses disa fluturake pa pilot /lajmishqip.net










