Mijëra zyrtarë që ushtrojnë funksione publike në Kosovë janë vënë sërish përballë detyrimit ligjor për të pasqyruar hollësisht pasurinë e tyre të realizuar përgjatë vitit 2025.
Ky proces ka nisur zyrtarisht më 1 mars, teksa të dhënat e para nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) tregojnë se deri më tani këtë obligim e kanë përmbushur mbi 1 mijë zyrtarë, apo rreth 10% e totalit të subjekteve deklaruese.
Drejtuesit e këtij institucioni kanë qartësuar tashmë gamën e gjerë të kategorive që janë të obliguara t’i nënshtrohen këtij verifikimi periodik në kuadër të procesit ligjor.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka potencuar se subjekte të deklarimit janë që nga niveli i lartë shtetëror e deri te zyrtarët e licencimit, prokurimit, doganave dhe hetuesit policorë, duke vënë në pah se që nga viti 2024 kjo listë është zgjeruar edhe me mjekët e sistemit sekondar e terciar si dhe profesorët e universiteteve publike.
Agjencia nënvizon se përmbushja e këtij afati është jetike për transparencën dhe llogaridhënien, ndërsa paralajmëron se shpërfillja e ligjit mund të rezultojë me gjoba të larta financiare dhe dënime me burgim deri në 5 vite./lajmishqip.net









