Memli Krasniqi zbulon prapaskenat: Dorëheqja po mendohej prej një viti, ja pse nuk ishte lodhje

2 minutes, 25 seconds Read

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Rubikon në Klan Kosova, kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur hapur për karrierën e tij politike dhe arsyet që çuan në largimin e tij nga drejtimi i partisë.

Krasniqi theksoi se dita e parë kur mori drejtimin e partisë ishte pakrahasimisht më e vështirë sesa dita kur hoqi dorë prej saj.

“Ka qenë një nder i madh, besim i jashtëzakonshëm, pikërisht se ishte në një moment kur… ka pasë njëfarë gjysmë shkapërderdhje brenda subjektit tonë, një mungesë të besimit të madh. Kishim rezultat shumë të ulët në zgjedhjet parlamentare të 2021, kishim vetëm 5 komuna që udhëheqnim nga viti 2017, kishim përpara zgjedhjet lokale, dhe mua më duhej t’i kandidoja kryetarët për rreth 1 muaj prej kur e mora detyrën. Më duhej brenda një muaji të propozoja dhe zgjidhja një kryesi të re, dhe t’i jap një drejtim dhe vizion PDK-së”, tha ish-kreu i PDK-së.

Ai shtoi se pesha dhe barra kishin qenë jashtëzakonisht të rënda në atë kohë, duke u shprehur mirënjohës për të gjithë kolegët që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim.

Megjithatë, Krasniqi sqaroi se vendimi i dorëheqjes nuk ishte i lehtë, por nuk lidhej me të. “Ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time, aspak, apo me ndonjë situatë zhgënjimi, përkundrazi”.

“Por kjo thjesht ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë, më shumë se një vit, sepse unë e kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm, që PDK të rikthehet si faktor kryesor politik”.

“Normalisht se objektivi për t’i fituar zgjedhjet nuk ndodhi, por PDK u rikthye te 200 mijë votëshi që e kishim gjithmonë, arritëm ndoshta rezultatin e dytë më të madh pa koalicione, garuam me Bedri Hamzën për kryeministër, që ishte propozim imi… me një listë që më shumë kemi pasur prurje të njerëzve që na janë bashkuar sesa krejt partitë tjera që kanë garuar bashkë”, tha Memli Krasniqi.

Ndër të tjera, ai shprehu dëshirën që të bëhej një qeveri e ish-partive opozitare, por kjo nuk ndodhi.

“Pra, ishte një angazhim për ta kthyer PDK si forcën e paevitueshme politike, gjë që është evidente tani… Dhe kjo ka ndodhur. Por, objektivi im ka qenë që Hamza të jetë kryeministër i Kosovës. Megjithatë, ne për pak nuk e arritëm këtë gjë, nuk arritëm të bindim partitë e ish-opozitës të bashkohemi në një qeveri, përkundër që formalisht i kishim numrat. Në rast se kjo do të ndodhte, do t’i shpallja zgjedhjet e brendshme brenda partisë, i përmbushur, dhe nuk do të konkurroja për një mandat të ri”, u shpreh Krasniqi./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme