Pse dashuria, durimi dhe loja e ndershme janë më të rëndësishme se notat
Vetëbesimi është një nga dhuratat më të vlefshme që prindërit mund t’u japin fëmijëve të tyre. Ai nuk formohet brenda natës, por ndërtohet gradualisht përmes marrëdhënies së sigurt, mbështetjes emocionale dhe përvojave të përditshme. Këshilltari për shëndetin mendor Jeffrey Meltzer zbulon disa mënyra të thjeshta, por shumë efektive, për ta forcuar vetëbesimin te fëmijët, raporton Times of India.
Një nga shtyllat kryesore të vetëbesimit, sipas Meltzerit, është dashuria e pakushtëzuar. Është thelbësore që fëmija ta dijë se dashuria e prindërve nuk varet nga suksesi apo dështimi i tij.
“Kur fëmijët e kuptojnë se vlera e tyre nuk matet me arritje, ata ndihen të lirë të rrezikojnë, të gabojnë dhe të mësojnë pa frikë. Vetëbesimi zhvillohet kur fëmijët ndihen të sigurt në dashurinë tuaj”, thekson ai. Kjo siguri emocionale i ndihmon fëmijët të ndërtojnë një ndjenjë të brendshme vlere që nuk lëkundet lehtë.
Meqë vetëbesimi lidhet ngushtë me pranimin shoqëror, Meltzeri nënvizon rëndësinë e mësimit të lojës së ndershme. Fëmijët që nuk respektojnë rregullat, nuk presin radhën ose e kanë të vështirë të përballen me humbjen, shpesh përjetojnë refuzim nga bashkëmoshatarët.
“Luani lojëra me ta për t’u zhvilluar durimin, qëndrueshmërinë emocionale dhe frymën sportive. Këto aftësi i ndihmojnë fëmijët të pranohen më lehtë dhe të ndihen të vlefshëm”.
Një tjetër element kyç është fokusi te procesi, jo vetëm te rezultati përfundimtar. Vlerësimi i përpjekjes, e jo vetëm i suksesit, i mëson fëmijët se ajo që kanë nën kontroll është puna dhe angazhimi i tyre.
“Festoni procesin, jo vetëm rezultatin. Kur fëmijët mësojnë të vlerësojnë përpjekjen, vetëbesimi ndërtohet nga brenda dhe bëhet më i qëndrueshëm”, shpjegon Meltzeri. Kjo qasje i mbron ata nga frika e dështimit dhe nga presioni i perfeksionizmit.
Një mënyrë shumë efektive për forcimin e vetëbesimit është edhe t’i lejoni fëmijët të marrin rolin e mësuesit. Kur fëmija ka mundësi t’ju mësojë diçka, ai ndien se njohuritë dhe aftësitë e tij kanë vlerë.
“Ndërroni rolet dhe lëreni fëmijën t’ju mësojë. Bëni pyetje nga kureshtja dhe tregoni se e vlerësoni atë që di. Akti i mësimdhënies forcon besimin në aftësitë e veta dhe rrit ndjenjën e respektit”, thotë Meltzeri.
Po ashtu, një qasje pozitive, por realiste ndaj jetës është një mjet i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijës. Meltzeri sugjeron që prindërit t’i inkurajojnë fëmijët të ndajnë çdo ditë diçka të mirë që kanë mësuar ose përjetuar.
“Kjo e ‘stërvit’ trurin e fëmijës të vërejë të mirën te vetja, te të tjerët dhe te bota përreth, duke krijuar zakonin e të menduarit pozitiv”, shpjegon ai.
Në fund, Meltzeri thekson se ndërtimi i vetëbesimit është një proces afatgjatë, që kërkon kohë, durim dhe vazhdimësi. Nuk ka zgjidhje të shpejta, por çdo gjest mbështetës, çdo fjalë inkurajuese dhe çdo moment i ndarë me fëmijën kontribuon në formimin e një personaliteti të sigurt dhe të qëndrueshëm emocionalisht.


