Mbresa nga takimi me Resul Ef. Rexhepi

4 minutes, 18 seconds Read

Shkruan: Demir Reshiti

Mbrëmë në një lokal të mrekullueshëm në afërsi të selisë së Bashkësisë Islame të Kosovës u takova me dy personalitete të respektuara nga Opoja që prej shumë vitesh punojnë e jetojnë në Prishtinë, Resul ef. Rexhepin dhe dr. Sadik Mehmetin!

Në fakt kishte kohë që e kisha planifikuar me Sadikun që të takohemi për kafe me h. Resulin dhe fati deshi që të takohemi mbrëmë pas namazit të teravisë.

Me Resul ef. Rexhepin njihem prej shumë vitesh. Është një personalitet me taban kombëtar dhe fetar, njeri urtë, i kulturuar e i respektuar jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet shqiptare e më gjerë. Që në vitin e largët 1967 ka ardhur në Prishtinë për të ndjekur mësimet në Medresenë “Alauddin” (ishte gjenerata e gjashtë e nxënësve të kësaj medreseje) dhe i ka qëndruar “besnik” kryeqytetit deri më sot, me vetëm një shkëputje pesëvjeçare (1972-1977) kur ishte për studime në Universitetin e Benghazit – dega në El-Beida në Libi, ku u diplomua në drejtimin e Sheriatit dhe të drejtësisë.

Me t’u kthyer nga Libia, në vitin 1978, u punësua në detyrën e sekretarit në Medresenë “Alauddin” të Prishtinës, e më pastaj si pedagog për lëndët Fikh dhe Hadith në këtë medrese. Pesë vite më vonë (1983), kur nuk i kishte mbushur ende 30 vjet, emërohet drejtor i Medresesë “Alauddin”, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses për dy mandate (tetë vjet) dhe më pas transferohet në pozitën e këshilltarit të Kryesisë së BI të Kosovës. Në vitin 2007 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Kryesisë së BI të Kosovës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2018, kur edhe u pensionua.

Nga themelimi i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë më 1992 e deri më 2010 ka ligjëruar lëndët “Historia e së Drejtës së Sheriatit” dhe “Kultura dhe civilizimi Islam”. Për disa mandate ka qenë anëtar i Kuvendit të BI të Kosovës, anëtar i Kryesisë të Shoqatës së Ylemave si dhe anëtar i redaksive të revistës “Dituria Islame” dhe “Edukata Islame” , kryeredaktor i kësaj të fundit, si dhe kryeredaktor i “Takvimit” në periudhën (2000 – 2019).

Është autor i shumë punimeve shkencore të publikuara në revistat e komuniteteve fetare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi etj. Gjithashtu është autori dhe përkthyes i shumë librave dhe monografive dhe pjesëmarrës në shumë sesione dhe konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Fillimi i viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar kur u suprimua dhunshëm statusi i Kosovës dhe shqiptarët krijuan sistem paralel të jetës dhe veprimtarisë, Resul efendiun e gjen në pozitën e drejtorit të Medresesë “Alauddin”. Atëbotë,  Medreseja “Alauddin” ishte shndërruar në qendër të rezistencës kombëtare. Në vitin shkollor 1991-1992, kur regjimi serb mbylli institucionet e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, Medreseja “Alauddin” hapi dyert për studentët shqiptarë dhe siguroi kushte për mbajtjen e ligjëratave për të gjitha fakultetet.  Në lokalet e kësaj medreseje u mbajt Kongresi i Parë i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe kuvendet themeluese të disa partive politike e Shoqatave të ndryshme kur ishte kriza më e madhe e sigurimit të lokaleve për shkak të kontrolleve dhe presionit të regjimit okupues serb. Dhe roli i Resul efendiut në të gjitha këto veprimtari ishte i pa diskutueshëm dhe i pa kontestueshëm.

E kam të freskët kujtimin kur i pata kërkuar ef. Resulit të na bashkëngjitet në aksionin e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave në Opojë funksiononte në kuadër të “Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve  në Kosovë 1990-1991”. Ai jo vetëm që e pranoi pa hezitim këtë ftesë por dha kontribut të jashtëzakonshëm në shumë raste të pajtimit që u arritën në Opojë dhe më gjerë. Vetë prania e h. Resulit odat ku shkonim për të kërkuar pajtim ishte shumë domethënës për faktin se ishte personalitet publik shumë i respektuar…

Takimet me h. Resulin janë gjithmonë të këndshme. Edhe mbrëmë, rreth një orë sa ndenjëm bashkë mu duk sa një minutë!

Ndonëse është pensionist dhe ka kaluar disa probleme shëndetësore, Resul efendiu vazhdon të jetë i përkushtuar në punë. Na tregoi se lexon e shkruan pa ndërprerë dhe në ndarje m’i dhuroi dy libra që i kishte botuar këtë vit dhe vitin e kaluar!

U ndamë me premtimin se do të takohemi sërish e të rrimë më gjatë e të çmallemi me evokime kujtimesh nga e kaluara!

Në fund të këtij shkrimi më duhet ta falënderoj historianin e mirënjohur opojan dr. Sadik Mehmetin, njërin nga studiuesit aktual më produktiv në Kosovë e më gjerë, që u bë “sebep” për ta organizuar këtë ndeje.

Publikime te ngjashme