Mbi 150 avionë në errësirën e Karakasit: Gjenerali Dan Caine zbardh prapaskenat e operacionit sekret për kapjen e Maduros

1 minute, 56 seconds Read

Gjenerali Dan Caine, Kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-ve, ka zbardhur në një konferencë për media detajet e operacionit gjigant ushtarak që kulmoi me prangosjen e Nicolás Maduros.

Ai e cilësoi ndërhyrjen si një operacion “diskret, të saktë dhe të ekzekutuar në orët më të errëta të 2 janarit”. Sipas tij, ky sukses ishte fryt i muajve të tërë planifikimi rigoroz dhe stërvitjeje intensive, një sipërmarrje që, siç u shpreh ai, mund ta realizonte vetëm ushtria amerikane. Caine sqaroi se angazhimi i disa agjencive kishte nisur kohë më parë, duke gërshetuar dekada përvoje në integrimin e operacioneve komplekse ajrore, tokësore, detare dhe hapësinore.

“Ky mision kërkoi çdo komponent të forcës sonë të përbashkët – ushtarë, marinarë, pilotë, marinsa dhe gardianë – të cilët punuan në unison me inteligjencën dhe partnerët e rendit në një operacion të paprecedentë,” deklaroi gjenerali.

Operacioni ishte aq i sofistikuar sa përfshiu mbi 150 avionë të nisur në koordinim perfekt nga baza të ndryshme në Hemisferën Perëndimore. Ata u sinkronizuan në kohë dhe hapësirë për të zbarkuar forcat speciale në zemër të Karakasit, duke garantuar befasinë taktike. “Dështimi i qoftë edhe një komponenti të vetëm do të rrezikonte gjithë misionin, por dështimi nuk është opsion për forcat tona,” shtoi ai, duke nderuar gatishmërinë e pilotëve për të sakrifikuar jetën.

Inteligjenca kishte monitoruar Maduron për muaj të tërë: nga lëvizjet e tij, vendbanimi, ushqimi, veshja, e deri te kafshët shtëpiake. Edhe pse forcat ishin gati që në dhjetor, u prit momenti kur moti dhe kushtet të ishin optimale për të minimizuar rrezikun për civilët. Gjatë festave të fundvitit, trupat qëndruan në gatishmëri të lartë.

“Mbrëmë, moti u hap aq sa duhej, duke krijuar një korridor që vetëm pilotët tanë mund ta navigonin mes maleve dhe reve,” tha Caine. Ai konfirmoi se në orën 22:46, Presidenti dha urdhrin final me fjalët: “Fat të mbarë dhe shpejtësi nga Zoti.” Ky mesazh u përcoll te mbi 150 avionë, përfshirë bombardues e helikopterë, që u ngritën nga 20 baza të ndryshme për të mbyllur misionin./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme