Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër veprimet e fundit të presidentes Vjosa Osmani lidhur me amendamentet e propozuara. Hoti e cilësoi këtë nismë si një “përpjekje dëshpëruese dhe komike” për të ndryshuar rregullat e lojës brenda pak orësh, duke u udhëhequr vetëm nga interesat personale.
Sipas ish-kryeministrit, qëndrimi i Osmanit është i dyanshëm. Ai argumenton se nëse ajo do të ishte kandiduar direkt nga “shefi i saj”, as ajo dhe as mbështetësit e saj nuk do ta konsideronin problem faktin që presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Në reagimin e tij të plotë, Hoti shkroi:
“Në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, kur u bë e qartë se qëndrimi në atë zyrë po vështirësohej, ajo vendosi të sfidojë institucionet. Procedimi i amendamenteve në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit është një orvatje joserioze për të manipuluar sistemin për përfitime individuale.
Kjo nuk mund të quhet reformë kushtetuese; kjo është thjesht një marrëzi politike.
Ironia qëndron në faktin se, po të ishte e përzgjedhura e shefit të saj, asaj dhe grupit të saj nuk do t’u pengonte zgjedhja e presidentit përmes Kuvendit. Në atë skenar, Kushtetuta do të ishte ‘në rregull’, procedurat do të vlerësoheshin si legjitime dhe askush nuk do të tentonte improvizime kushtetuese brenda natës.
Kur akti më i lartë juridik i shtetit trajtohet si mjet për interesa të ngushta, problemi nuk qëndron te mënyra e zgjedhjes, por te mentaliteti i atyre që e shohin pushtetin si pronë të tyren,” përfundoi Hoti./lajmishqip.net










