Pasi u hodhën shashka në drejtim të godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën te selia e Partisë Socialiste.
Menjëherë nisi e njëjta situatë duke hedhur molotov në drejtim të godinës së Partisë Socialiste.
Zbrazet bulevardi, protestuesit drejt selisë së PS
Kur ka kaluar një orë e gjysmë nga nisja e protestës dhe pas incidenteve të dhunshme para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë marshuar në Tiranë, duke bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore rreth qendrës. Tashmë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është boshatisur, ndërsa protestuesit po shkojnë para godinës së Partisë Socialiste.
Gjatë rrugës janë djegur edhe kosha plehrash.
Protestuesit përplasen me policinë
Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë ka përshkallëzuar në përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Ishin fillimisht, deputetët e Partisë Demokratike dhe disa mbështetës të PD që u konfrontuan me efektivët e vendosur rreth perimetrit të sigurisë së Kryeministrisë.
Më pas, protesta u përkeqësua me hedhjen masive të bombave molotov dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Zëdhënësi i Policisë u ka bërë thirrje protestuesve përmes megafonit që të ndalojnë aktet e dhunës dhe të shmangin sulmet ndaj forcave të rendit.
Për shkak të shpërthimeve, pema përpara Kryeministrisë ka marrë flakë, por zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë zjarrin në kohë.
Protesta e opozitës shqiptare, blindohet Kryeministria në Tiranë
Në ndryshim nga herët e tjera, ata janë me veshje të posaçme me kokore dhe skafandër.
Në kordon janë edhe punonjëse gra. Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 18:00.
Ishte dënimi me 1 vit burg i Ervin Salianjit që nxiti opozitën për nisjen e një vale protestash dhe bojkoti në komisione e Kuvend.
Dy seancat e fundit në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.
Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor, ora 14:00, për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.