Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk parashikohet asnjë ndryshim në dislokimin e forcave ushtarake të SHBA-së. Në një përgjigje zyrtare me shkrim, ai specifikoi: “Sot, nuk kemi për të njoftuar asnjë lloj ndryshimi në dislokimin e forcave tona”.
Ky reagim i Pentagonit vjen si vijimësi e interesimit të REL-it, pas raportimeve të gazetës prestigjioze Politico. Sipas kësaj të fundit, e cila citoi katër diplomatë të NATO-s, Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë aleancës të reduktojë aktivitetet e saj të jashtme, duke përfshirë këtu edhe misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.
Në lidhje me këto pretendime, një zyrtar i NATO-s deklaroi se SHBA-ja luan një rol kritik në garantimin e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, ai theksoi se për detaje më specifike, autoritetet kompetente mbeten ato amerikane. Aktualisht, SHBA-ja mban rreth 600 trupa të angazhuara në kuadër të KFOR-it, duke udhëhequr njëkohësisht Komandën Rajonale Lindje.
Kjo komandë luan një rol kyç në aktivitetet e përditshme të misionit, përmes patrullimeve, ushtrimeve taktike, bashkëpunimit me komunitetet lokale dhe mbështetjes së projekteve për zhvillim ekonomik e rindërtim. Ndërkohë, REL-i ka kërkuar komente zyrtare edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Sipas analizës së Politico-s, Uashingtoni ka lobuar muajt e fundit për reduktimin e operacionit të KFOR-it, përfundimin e misionit në Irak dhe mospjesëmarrjen e aleatëve të Indo-Paqësorit në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara. Këto zhvillime pasojnë shqetësimet e vitit të kaluar se SHBA-ja mund të tërhiqej plotësisht nga Evropa.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pati paralajmëruar më herët Evropën për një rishikim të mundshëm të pranisë ushtarake amerikane. Megjithëse nuk pati tërheqje totale, në tetor u njoftua largimi i disa trupave nga Rumania, si pjesë e strategjisë për t’u fokusuar në rajonin e Indo-Paqësorit.
Sot, në Kosovë shërbejnë 590 trupa amerikane, pjesë e një force totale prej 4,767 ushtarësh nga 33 vende të botës. Italia, SHBA-ja, Hungaria dhe Turqia përbëjnë thuajse gjysmën e kësaj prezence. Krahasuar me vitin 1999, kur ishin të dislokuar 50,000 trupa, numri ka pësuar rënie të ndjeshme. Baza “Bondsteel” mbetet pika më e rëndësishme ushtarake amerikane në Ballkan, ndërsa Kosova e konsideron këtë aleancë si jetike për shtetndërtimin e saj. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë dhe EULEX-it, me përgjegjësi direkte edhe për vijën kufitare me Serbinë. /lajmishqip.net

