Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se është arritur pajtimi me Serbinë për funksionalizimin e komisionit të përbashkët që do të zbatojë marrëveshjen për personat e zhdukur gjatë luftës.
Pas përfundimit të rundit të ri të bisedimeve në Bruksel, Bislimi sqaroi se tashmë pritet që delegacionet e të dyja vendeve të takohen gjatë javëve të ardhshme për të përcaktuar prioritetet operative të këtij komisioni. Ky dakordim erdhi pas takimeve të ndara dhe një takimi të përbashkët të ndërmjetësuar nga emisari evropian, Peter Sorensen, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin gjatë javës së kaluar.
Megjithëse palët kishin miratuar Deklaratën për personat e zhdukur që në vitin 2023, zbatimi i saj kishte stagnuar. Një takim i planifikuar për janarin dështoi pas refuzimit të palës serbe, si reagim ndaj mbylljes së zyrave paralele në Kosovë. Emisari Sorensen u shpreh optimist se viti 2026 do të sjellë progresin që mungoi gjatë vitit 2025, duke u zotuar se do të punojë për rikthimin e bisedimeve të nivelit të lartë.
Takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq nuk janë zhvilluar që nga viti 2023, pas tensioneve të larta të shkaktuara nga sulmi në Banjskë. Kurti, i cili pritet të udhëheqë qeverinë edhe për një mandat të tretë, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e Millan Radoiçiqit. Në anën tjetër, Beogradi vazhdon ta kushtëzojë progresin me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Edhe pse Marrëveshja e Ohrit mbetet në fuqi, zbatimi i pikave të saj, përfshirë Asociacionin, mbetet ende në pikën zero. /lajmishqip.net
