Dhomat e Specializuara kanë njoftuar zyrtarisht se është caktuar Paneli i Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e re referuese të Hashim Thaçit. Ky zhvillim në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ndërlidhet specifikisht me pretendimet për vepra kundër administratës së drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, më datë 30 dhjetor, Kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, mandatoi panelin kushtetues për të marrë një vendim mbi kërkesën e dorëzuar nga Thaçi në po të njëjtën ditë. Ky trup gjykues do të përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański, të cilët do ta trajtojnë këtë kërkesë pas vendimit paraprak të Gjykatës së Apelit, të nxjerrë më 28 tetor 2025.
“Më 30 dhjetor, Kryetare Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën referuese të dorëzuar nga Hashim Thaçi në të njëjtën ditë. Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański do të vendosin në lidhje me këtë kërkesë referuese që pason vendimin e Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale./lajmishqip.net
