Dokumente tejet të dyshimta, që pretendohet se janë prodhuar nga autoritetet serbe pas vitit 1999 – periudhë kur Serbia nuk ushtronte asnjë juridiksion mbi Kosovën – po administrohen si prova brenda Dhomave të Specializuara. Ky veprim, bashkë me pranimin e literaturës dhe botimeve me besueshmëri të skajshme të ulët si materiale provuese, ka nxitur dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe integritetin e proceseve gjyqësore në Hagë.
Këto alarme janë ngritur zyrtarisht nga Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, përmes një letre dërguar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova. Në këtë dokument, ai paralajmëron hapur për shkelje të rënda të standardeve kushtetuese dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në korrespondencën që ka siguruar Kanal10, Qelaj adreson gjithashtu kufizimet drastike në komunikim, vizitat familjare dhe regjimin e monitorimit të vazhdueshëm në paraburgim, duke i cilësuar këto si cenime të drejtpërdrejta të të drejtave themelore.
Sipas vlerësimit të institucionit të Avokatit të Popullit, procedurat në Hagë shfaqin mangësi strukturore në raport me Kushtetutën e Kosovës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një problem kyç mbetet fakti se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi llogaridhënës vendor, ndërsa veprimtaria e tyre ka krijuar perceptimin e mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj vë në dukje se ndjekja penale monoetnike po prodhon dyshime për zbatimin selektiv të drejtësisë, pa dhënë sqarime për publikun.
Më tej, Avokati i Popullit shpreh shqetësim për çekuilibrin procedural, ku gjykata ka refuzuar pothuajse çdo kërkesë të mbrojtjes. Një praktikë e tillë, e konsideruar e pazakontë në drejtësinë ndërkombëtare, rrezikon të minojë tërësisht besueshmërinë e gjykimit të drejtë.
Një pjesë e veçantë e letrës i kushtohet paraburgimit të zgjatur. Qelaj e konsideron mbajtjen e pandërprerë të të akuzuarve si problematike, duke argumentuar se rreziku i ikjes është cilësuar “i lartë” në mënyrë arbitrare, pavarësisht faktit se krerët e UÇK-së u vetëdorëzuan dhe nuk ka prova për ndërhyrje në proces.
Në mbyllje, Avokati i Popullit sqaron se ky reagim është një nismë monitoruese në frymën e mbrojtjes së të drejtave dhe garantimit të paanshmërisë. Kujtojmë se në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët që nga viti 2020 mbahen në paraburgim duke mbrojtur pafajësinë e tyre./lajmishqip.net

