Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se ka mbyllur çdo shteg për negociata konvencionale me Iranin lidhur me përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të premte, Trump bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë marrëveshje pa një “dorëzim pa kushte” nga ana e Teheranit zyrtar.
Ditët e fundit, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka prerë çdo mundësi për kompromis, duke deklaruar se udhëheqja e ardhshme e Iranit duhet të ketë domosdoshmërisht pëlqimin e SHBA-së. Ky qëndrim shënon një ashpërsim të skajshëm të kursit diplomatik dhe ushtarak amerikan ndaj Republikës Islamike.
“Pas realizimit të kësaj dhe zgjedhjes së një lideri të pranueshëm, ne së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të mrekullueshëm e të guximshëm, do të punojmë pa rreshtur për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit,” ka thënë Trump. Ai premtoi se nën këtë mbikëqyrje, Irani do të bëhet ekonomikisht më i madh dhe më i fuqishëm se kurrë.
Në mbyllje të mesazhit të tij, Trump ka përdorur një retorikë tashmë të njohur, duke e përshtatur sloganin e tij historik elektoral. “Ta bëjmë Iranin të madh sërish,” shkroi ai, duke huazuar formatin e thirrjes së tij të famshme që përdor për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /lajmishqip.net









