Kurti zbulon planin ambicioz: Fabrika e parë e dronëve, rritje pagash dhe investime gjigante në ujëra

1 minute, 33 seconds Read
Banner Description

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur vizionin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin te siguria dhe ekonomia. “Do të ndërtojmë fabrikën e municionit dhe të dronëve, duke e shndërruar sigurinë në një motor të zhvillimit ekonomik e teknologjik. Kjo do të sjellë vende të reja pune dhe rritje të kapaciteteve vendore,” deklaroi Kurti.

Krahas planeve për energjinë dhe shfrytëzimin e linjitit, ai prezantoi një projekt madhor për sigurinë e ujit: investimin e 400 milionë eurove në ndërtimin e pesë digave të reja (në Firajë, Dragaqinë, Pollatë, Desivojcë dhe Kuqicë) për menaxhimin efikas të resurseve ujore.

Lidhur me ekonominë, Kurti theksoi se Bruto Produkti Vendor është rritur nga 7 në 11 miliardë euro, me projeksionin që vitin e ardhshëm të arrijë në 12 miliardë.

“Kjo rritje është përkthyer drejtpërdrejt në mirëqenie. Qeverisja jonë është garancia e vetme që ekonomia, pagat dhe pensionet të vazhdojnë rritjen me të njëjtin ritëm,” tha ai, duke premtuar se BPV për kokë banori do të kalojë shifrën 10 mijë euro.

Për pagat, kryetari i LVV-së u zotua për rritje të vazhdueshme vjetore të pagës minimale. Për sektorin publik, ai ishte i prerë: “Pas rritjes mesatare prej 47% në këtë mandat, synojmë që në mandatin e ardhshëm paga mesatare në sektorin publik të kalojë vlerën 1,000 euro në muaj.”

Në aspektin social, Kurti paralajmëroi reformë pensionale dhe një ndryshim të rëndësishëm për kategoritë e dala nga lufta: heqjen e kushtëzimit ligjor që ndalon veteranët e punësuar të marrin beneficionin. Programi përfshin gjithashtu rritjen e shtesave për fëmijë e lehona, grante më të larta për fermerë dhe modernizim të shkollave. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme