Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se bashkë me ministrin Hajrullah Çeku dhe Myftiun Naim Tërnava ka vizituar xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë.
Kurti përmes një postimi në Facebook tha sse këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që siç u shpreh ai, në tokë të bëhen vepra të mira.
“Marsi i përkujtimeve dhe sakrificës së popullit tonë, i përpjekjeve të pareshtura për çlirim e barazi, bashkë me pranverën, edhe sivjet sjell përjetimin e muajit të agjërimit dhe të ripërtëritjes shpirtërore.Në prag të Ramazanit, me ministrin Hajrulla, të mirëpritur e shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava vizituam xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, që të dyja sapo të restauruara profesionalisht dhe aq bukur, e që po hapin dyert përsëri për besimtarët”.
“Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që në tokë të bëhen vepra të mira. Për mirësi ndaj njëri-tjetrit, e bujari ndaj atyre që kanë më pak. E përgjatë këtij muaji ato do të jenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes”, shkroi Kurti.
Kryeministri tutje uroi besimtarët mysliman për fillimin e muajit Ramazan, duke uruar agjërim të lehtë dhe muaj të begatë.
“Të gjithë besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame u uroj muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës dhe përkushtimit për të tjerët, për ditë të bardha e të paqta, për të gjithë. U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë”, shkroi tutje ai.