Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është i vetmi vend evropian që nuk i ka vendosur ende sanksione Rusisë, teksa ka theksuar se shpreson që Beogradi të detyrohet të zgjedhë mes federatës despotike ruse dhe demokracisë
“Shpresoj që gjatë mandatit aktual të Komisionit Evropian, Serbia do të detyrohet të zgjedhë mes një Federate despotike Ruse të Presidentit Putin dhe demokracisë, pluralizmit politik, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, tha ai gjatë një interviste në TVP World në Poloni.
Tutje, Kurti shtoi se lidhjet e Beogradit me Moskën nënvizojnë “tensionin e vazhdueshëm midis Kosovës dhe Serbisë”, duke akuzuar këtë të fundit për agresivitet ndaj Kosovës.
Duke komentuar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ai theksoi se “brezi ynë po jeton në kohën e fashizmit rus”, teksa potencoi se “ne duhet ta luftojmë atë me demokraci dhe sovranitet”.
Ndryshe, Kurti i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit të Sigurisë (WSF), i cili është zhvilluar nga 1 tetori deri më 2 tetor në Varshavë.
Në fokus të këtij forumi kanë qenë çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes nën trysninë e kërcënimeve të paqes.
WSF është një nga forumet kryesore evropiane për sigurinë, i cili synon të avancojë dialogun politik rreth strategjisë së mbrojtjes për paqe dhe stabilitet, posaçërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore.
WSF organizohet që nga viti 2014 në Varshavë.