Kryeministri Albin Kurti ka diskutuar mbi modelin e tij qeverisës dhe objektivat ekonomike e gjeostratigjike për mandatin e ardhshëm, gjatë një bashkëbisedimi me Rory Stewart OBE në “Shtëpinë e Kosovës”, në margjinat e Forumit të Davosit.
Ngritja e cilësisë në shërbime, transparenca radikale dhe llogaridhënia ishin zotimet kryesore të Kurtit, i cili potencoi se tashmë ekziston një rezistencë e fuqishme qytetare ndaj rikthimit të sistemeve politike të korruptuara.
“Obligimi ynë është të udhëheqim përmes shembullit; asnjë anëtar i kabinetit qeveritar nuk duhet as ta imagjinojë përfshirjen në afere korruptive. Kosova funksionon si shtet i monitoruar rreptësisht nga partnerët ndërkombëtarë dhe mekanizmat tanë të brendshëm, ndaj besoj fuqishëm se llogaridhënia do të jetë në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.
Kreu i ekzekutivit sqaroi se shtyllat e udhëheqjes së tij janë përqendruar kryesisht në fuqizimin e politikave sociale, realizimin e investimeve kapitale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Kurti u ndal edhe te bllokada disamujore politike në vend, e cila kulmoi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku Lëvizja Vetëvendosje siguroi mbështetjen historike prej 51% të votave.
Gjithashtu, ai alarmoi për planet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës, duke veçuar luftën hibride ruse gjatë procesit të fundit zgjedhor. Sipas tij, mbrojtja më efikase ndaj agresioneve shtetërore e hibride mbetet angazhimi i profesionistëve kulmorë në Agjencinë e Inteligjencës, për të garantuar një kundërpërgjigje institucionale të shpejtë dhe të saktë./lajmishqip.net
