Kurti përfaqëson Kosovën në Samitin e Procesit të Berlinit që nis sot – pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve

1 minute, 45 seconds Read

Në dhjetë vjetorin e krijimit të tij, Samiti i Procesit të Berlinit 2024 do të nis sot në Berlin me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së.

Kosova në këtë ngjarje do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti. Kështu kishte bërë të ditur këshilltari i tij, Jeton Zulfaj pak ditë më parë.

“Kryeministri do të marrë pjesë siç ka marrë pjesë në të gjitha samitet deri tash”, ka thënë Zulfaj.

Zulfaj, ka thënë se në kryeqytetin e Gjermanisë do të nënshkruhet edhe një deklaratë për fqinjësi të mirë.

“Nesër pritet që të nënshkruhet një marrëveshje e re për qasje në studime duke e çuar në pesë numrin e marrëveshjeve të arritura që nga vitit 2022, të cilat njihen edhe si marrëveshje të mobilitetit. Do të ketë një nënshkrim të një deklarate të Planit të ri të Veprimit 2025-2028 për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe një deklaratë për fqinjësi të mirë, e cila është dakorduar në nivel të gjashtë shteteve”, ka deklaruar Zulfaj.

Agjenda e Samitit përfshin tema që lidhen me bashkëpunimin ekonomik rajonal, ndërlidhjen, sigurinë energjetike dhe rritjen e gjelbër.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor (BB6), të përbërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit, Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor RYCO dhe bizneset.

Në kuadër të procesit të Berlinit, deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.

Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit./Telegrafi

Publikime te ngjashme