Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të qartë se mundësia e rikthimit të Kosovës në zgjedhje të parakohshme është një skenar jo vetëm teorik, por edhe praktikisht i mundshëm nëse dështon zgjedhja e kreut të ri të shtetit.
Kur kanë mbetur vetëm katër muaj nga përfundimi i mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti po tregohet tejet i matur rreth mbështetjes për një mandat të dytë pesëvjeçar për të. Ai ka theksuar se gatishmëria e opozitës për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare do të shërbejë si një lakmus dhe indikacion kryesor se si do të procedohet më tej me çështjen e presidentit.
Në një intervistë për KosovaPress, Kurti ka renditur si prioritete absolute konstituimin e Kuvendit, votimin e qeverisë dhe miratimin e buxhetit, para se të hapet tema e presidencës.
“Dështimi në zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentit deri më 4 mars, pa pasur paraprakisht një buxhet të votuar për vitin 2026, do të na linte pa mundësi për të organizuar as zgjedhjet e reja. Natyrisht se ekziston mundësia praktike për zgjedhje të reja në rast dështimi, andaj votimi i buxhetit është i domosdoshëm për të qenë të gatshëm për çdo situatë. Nuk është produktive të flasim për hapin e katërt pa i përmbyllur me sukses tre hapat e parë,” u shpreh ai.
Lideri i LVV-së, parti që dominoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 50 për qind të votave, e vlerëson si të nevojshëm një takim me Osmanin për të diskutuar ambiciet e saj, ndonëse e pranon se sigurimi i kuorumit prej 80 deputetëve mbetet një sfidë serioze.
“Së pari duhet të funksionalizojmë institucionet dhe buxhetin; këta hapa do të tregojnë realisht gjasat tona për procedim. Duhet të ulemi me presidenten, pasi sigurimi i 80 personave në sallë është vështirësi e madhe; nëse herën e kaluar s’i bëmë dot 61, duhet kuptuar se 80 është shifër tjetër. Edhe pse tani kemi 61 vota, na mungojnë 80-të, andaj votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të na japë sinjalet e para se ku jemi. Nuk është e dobishme të nxitohemi drejt hapit të katërt pa parë rezultatet e tre të parëve,” deklaroi Kurti.
Lidhur me qëndrimin e mundshëm të opozitës, veçanërisht të LDK-së në sallën plenare, Kurti u shpreh i pasigurt për lëvizjet e tyre politike në muajt e ardhshëm.
“Për besë nuk e di, pasi qasja bllokuese e opozitës gjatë vitit 2025 ishte krejtësisht e papritur edhe për mua. Nëse dikush do të parashikonte një barrikadim të tillë para një viti, do të dukej e pamundur, por ja që ndodhi. Është e qartë se as marrëveshjet dhe as presidenti nuk kalojnë pa mbështetjen e një pjese të opozitës, ndonëse bllokadat për formimin e qeverisë dhe Kuvendit u eliminuan nga vota e popullit më 28 dhjetor,” përfundoi ai./lajmishqip.net

