Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zbardhja e emrit të Presidentit të ri është tashmë “çështje orësh”, derisa po u përgjigjej mediave kalimthi gjatë hyrjes në ambientet e Kuvendit për mbledhjen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
I pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi identitetin e kandidatit, kreu i ekzekutivit pranoi se edhe ai vetë ndan të njëjtën kureshtje me gazetarët dhe opinionin publik.
“Jemi rrugës për takimin e grupit tonë parlamentar. Më besoni që edhe unë jam po aq kureshtar sa ju. Mbetet vetëm çështje orësh derisa të gjithë së bashku t’i kuptojmë të gjitha detajet”, potencoi Kurti.
Gazeta Express ka raportuar se emri i Andin Hotit, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, po shqyrtohet nga LVV-ja në prag të skadimit të afatit që përfundon nesër në mesnatë. Djali i figurës emblematike, Ukshin Hoti, sapo është emëruar ministër në kabinetin e Qeverisë Kurti 3. Ai paraprakisht ka ushtruar funksionin e kryetarit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Ndërkaq, Glauk Konjufca, i cili u përfol si opsion gjatë ditës së djeshme, duket se ka refuzuar përfshirjen në një proces që nuk gëzon konsensus të gjerë mes partive politike dhe që ende nuk është paraprirë nga një marrëveshje./lajmishqip.net









