Kryeministri Albin Kurti nuk ka arritur të tejkalojë rekordin e presidentes Vjosa Osmani për numrin e votave të fituara në zgjedhjet e këtij viti.
Sipas të dhënave nga 78% e vendvotimeve të numëruara, Kurti ka siguruar 222,382 vota.
Vjosa Osmani vazhdon të mbetet figura më e votuar në historinë e Kosovës, pasi në zgjedhjet e vitit 2021 kishte marrë 300,756 vota, duke e tejkaluar Kurtin me 78,374 vota më shumë. Në ato zgjedhje, ata garuan në një listë të përbashkët.
Kurti nuk pati mundësi të kandidonte në listën zgjedhore të partisë së tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, pasi Gjykata Supreme kishte vendosur që personat e dënuar me vendim gjykate në tri vitet e fundit nuk mund të garonin.
Ai ishte dënuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Për pasojë, numri 1 në listën e Vetëvendosjes mbeti bosh, ndërsa Osmani, që mbante numrin 2 në listë, arriti të marrë një numër rekord votash.
Në janar të vitit 2021, Kurti dhe Osmani kishin nënshkruar një marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhje, duke u dakorduar që Osmani të merrte postin e presidentes dhe Kurti atë të kryeministrit.