Kurti: Në veri dikur sundonin bandat, sot sundon rendi dhe ligji

3 minutes, 6 seconds Read
Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes ndër të tjera edhe për sulmet e fundit në veri të vendit, duke thënë se dikur bandat kriminale kanë sunduar atje, ndërsa sot sundon rendi dhe ligji, në duart e sigurta të policisë së Republikës së Kosovës.

Tutje ai ka thënë se për ruajtjen e sovranitetit të vendit, në veri të Kosovës tashmë janë nëntë stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, ndërsa, deri në vitin 2021, nuk kishte asnjë.

“Sa më të suksesshëm që tregohemi ne, aq më të dhunshëm tregohen ata. Lista e veprimeve agresive të kryera apo të sponsorizuara nga Serbia gjatë katër vjetëve të fundit është tejet e gjatë. Mes tyre janë: barrikadimi i rrugëve në veri të vendit; sulmet e shumta ndaj patrullave të policisë; protesta të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it; kidnapimi i tre policëve nga territori i Kosovës; vrasja e rreshterit policor, heroit tonë, Afrim Bunjaku, në një përpjekje për ta aneksuar veriun e vendit; dhe së fundi, ky sulmi ndaj infrastrukturës kritike të ujit dhe energjisë për të cilin ne besojmë që përsëri prapa qëndron Beogradi zyrtar”.

“Përballë këtyre sulmeve, kemi arritur jo vetëm ta mbrojmë Kosovën, por edhe të bëjmë më të sigurt sesa kurrë më parë. Këtë e kemi bërë duke trefishuar buxhetin e ushtrisë, përfshi buxhetin për blerjen e armatimeve dhe të municionit, i cili është rritur nga më pak se 4 milionë euro në periudhën 2018–2020, në më shumë se 239 milionë euro në periudhën 2021–2023. E me blerjet e këtij viti të realizuara deri më tani, e viti ende nuk ka përfunduar ende, blerjet arrijnë në 268 milionë euro. Po ashtu, në katër vjetët e fundit, janë rekrutuar, apo janë në proces të rekrutimit, 2271 ushtarë të rinj, apo dyfishim i numrit të ushtarëve përbrenda mandatit tonë, duke hequr edhe tavanin prej pesë mijë pjesëtarëve e duke e ngritur edhe atë të moshës nga 23 në 25 vjeç. Për ruajtjen e sovranitetit të vendit, në veri të Kosovës kemi tashmë nëntë stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, ndërsa, deri në vitin 2021, nuk kishte asnjë. Nëse dikur bandat kriminale dhe terroriste kanë sunduar në veri të vendit, sot sundon rendi dhe ligji, në duart e sigurta të policisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se Serbia nuk është shtet ligjor e as demokratik.

“Duke qenë Republikë veçse nominalisht dhe duke mos arritur të bëhet monarki edhe formalisht, Serbia mbetet një shtet paramilitar. Paramilitarët e saj nuk kanë vend në Kosovë e do t’ia hanë kokën një ditë edhe vetë Serbisë, atje ku janë”, ka pohuar ai.

Kurti tutje shton se përballë gjithë këtyre sfidave, Kosova më në fund ka një qeveri e cila u shërben të gjithë qytetarëve njësoj, dhe jo interesave të ngushta të pushtetarëve apo oligarkëve.

“Kemi udhëheqësi që lufton korrupsionin kudo që gjendet, dhe rritjen e ekonomisë e të buxhetit e shpërndan te të gjithë qytetarët, për dallim nga ata para nesh që ishin vetë përfituesit më të mëdhenj nga buxheti i shtetit. Kemi një shtet që ka arritur të shtrijë sovranitetin e Republikës në çdo cep të territorit, dhe që guxon ta mbrojë atë territor, deri në fund, nga çdo agresor, terrorist apo grup kriminal që tenton ta kërcënojë”, ka thënë Kurti.

Publikime te ngjashme