Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar përkushtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke rikujtuar aplikimin formal të bërë në dhjetor 2022, Kurti ka bërë thirrje për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke e cilësuar këtë hap si të merituar dhe të vonuar për Kosovën.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv i qartë i yni,” ka shkruar Kurti, duke theksuar se Kosova ka përmbushur reformat e nevojshme dhe ka treguar përkushtim të fortë ndaj vlerave evropiane dhe demokratike. Ai përmendi Planin e Rritjes dhe dorëzimin e Agjendës së Reformave si dëshmi e përgatitjes institucionale të Kosovës.
Kurti gjithashtu ka vënë në pah se zgjerimi i Bashkimit Evropian është përgjigjja më e mirë ndaj kërcënimeve për sigurinë dhe paqen në Evropë, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Sipas tij, ky moment historik është i përshtatshëm për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.