Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka zhvilluar një mëngjes pune me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se në Ballkonin e Hapur kanë diskutuar për fuqizimin e ushtrisë.
“Në Ballkonin e Hapur flasim hapur: një mëngjes pune në kryeministri me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati. Diskutuam planet dhe mbështetjen e Qeverisë që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë.
Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”, shkruan Kurti.
Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i Kosovës, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë pritur në takim Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, me të cilin biseduan për bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Kryeministri Kurti fillimisht i ka shprehur falënderimin e tij presidentit të agjencisë turke të Industrisë së Mbrojtjes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.