Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bashkëbisedim me Ditmir Bushatin në episodin e radhës të emisionit të tij “Public Square”, ka folur për raportet me SHBA-në.
Ai ka thënë se nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.
“Amerikanët nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit të Shtetit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik dhe e di historinë e serbëve dhe shqiptarëve. SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, SHBA janë dëshmitare, nuk janë viktima”.
“Prandaj unë Serbinë e njohë më mirë dhe nuk mund ta kem as të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri sikurse Departamenti i Shtetit. Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”.
Kurti thotë se paraardhësit e tij e kanë vështirësuar pozicionin e tij në ndërtimin e raporteve me ndërkombëtarët.
“Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha se të SHBA-së dhe BE-së”, ka deklaruar mes tjerash Kurti.