Kurti i prerë ndaj Hagës: Kërkesa për 180 vjet burg injoron realitetin, UÇK-ja bëri luftë çlirimtare

1 minute, 24 seconds Read

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj pretencës së fundit të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, e cila ka kërkuar dënimin drakonian prej 45 vitesh burgim për secilin nga krerët e UÇK-së, që në total bëjnë 180 vjet.

Sipas Kurtit, një kërkesë e tillë jo vetëm që nuk gjen mbështetje në asnjë standard ndërkombëtar të drejtësisë, por bën edhe një shkëputje të rrezikshme nga konteksti real i luftës në Kosovë.

“Ne nuk kemi pasur kurrë plane për shfarosje popujsh apo civilësh. Kërkesa e sotme për dënime kapitale injoron tërësisht rrethanat në terren dhe tenton ta vendosë konfliktin në një vakum juridik, duke i izoluar veprimet nga realiteti i një lufte të pastër çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje vlerëson se çdo tentativë për t’i gjykuar veprimet individuale jashtë kësaj kornize historike e politike, rrezikon seriozisht të deformojë të vërtetën dhe vetë kuptimin e rezistencës sonë.

“Thelbi i luftës sonë qëndron te mbijetesa dhe dinjiteti. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe anti-kolonialiste, e zhvilluar në kushte të një okupimi të egër kur regjimi i aparteidit po kalonte në gjenocid shtetëror”, theksoi ai në reagimin e tij.

Në përmbyllje, Kurti zotohet se institucionet e Republikës do të jenë gardianë të së vërtetës historike, duke mbrojtur me çdo kusht pastërtinë e luftës për liri dhe duke kundërshtuar çdo përpjekje për rishkrimin e historisë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme