Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mirëpritën sot në një mëngjes pune në Ballkonin e Hapur, kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren Katarina Ađançiq, dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune.
Në këtë takim, u diskutuan temat kryesore që përfshinin qeverisjen komunale, arritjet dhe sfidat e përballura, si dhe bashkëpunimin me nivelin qendror.
Sipas njoftimit për media thuhet se kryeministri Kurti dhe ministrat Rashiq dhe Krasniqi u informuan mbi punën e drejtorive dhe shërbimeve komunale, investimet në mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike, dhe bashkëpunimin me agjencitë qendrore.
Drejtorët komunale theksuan progresin në disa fusha, duke përfshirë përgatitjet për legalizimin e objekteve dhe hartimin e planit zhvillimor, krijimin e një databaze për rastet sociale që kërkojnë mbështetje, rekrutimin e stafit të ri profesional, funksionalizimin e zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe regjistrimin e 89 bizneseve deri tani.
Po ashtu, u përmendën avancimet në intranet dhe digjitalizimin e arkivës, si dhe planet për ofrimin e shërbimeve digjitale përmes e-kioskut.
Në takim, u diskutua gjithashtu për mundësitë e reja të bashkëpunimit, përfshirë projekte ndërmjet komunave në veri të vendit dhe nevojën për mbështetje të Qeverisë për realizimin e këtyre projekteve.
Kurti përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për përpjekjet e tyre dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e përbërjes multietnike të kabinetit qeverisës dhe bashkëpunimit profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit.
Ai ofroi mbështetje të plotë për kryetarin Atiq dhe nënkryetaren Adançiq në adresimin e kërkesave dhe propozimeve që synojnë zhvillimin ekonomik dhe social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve për qytetarët./Telegrafi