Kundërpërgjigja e Kurtit për Vuçiqin: Kërkesat e masat e tij janë nga dëshpërimi, aspak paqësore

1 minute, 33 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka komentuar kërkesat dhe masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, duke i hedhur poshtë si “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja”

Javën e kaluar, Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Kurti u shpreh se “kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim nuk kanë vend as në Kosovë”.

Kjo është hera e parë që Kurti i komenton thirrjet e Vuçiqit.

Kurti tha se kërkesat që ai i ka bërë më herët drejtuar Serbisë “janë paqësore dhe racionale” krahasuar me ato të liderit serb.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë… dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radoiçiqit, është nënshkrimi i Marrëveshjes [për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve] dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres [serbe Ana Bërnabiq], e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq për sulmin terrorist në Banjskë.

Publikime te ngjashme