Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se bllokada tre-mujore e Kuvendit po prodhon pasoja të drejtpërdrejta dhe të dëmshme për qytetarët e vendit.
Sipas tij, pasoja më e rëndë e kësaj krize institucionale është pamundësia e Kosovës për të përfituar nga fondet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. “882 milionë euro janë të bllokuara për shkak të një kuvendi që nuk po konstituohet.
Ky është një dëm nga interesat e ngushta partiake”, ka shkruar Kryeziu në një reagim publik. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor mundëson alokimin e këtyre fondeve, por disbursimi i tyre kushtëzohet me ratifikimin e marrëveshjeve përkatëse në Kuvend. Pa një Kuvend funksional, ky proces jetik për zhvillimin ekonomik të vendit mbetet i bllokuar, raporton lajmishqip.