Kryeministri Kurti njofton për nënshkrimin e vendimit për nisjen e procedurës për hapje të një fabrike për prodhimin e municionit

1 minute, 23 seconds Read

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar se ka nënshkruar “një vendim të rëndësishëm” para se të fillonte mbledhjen për themelimin e Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që porsa e nënshkrova para se të vij në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm, besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës…. Me këtë vendim sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”.

Gjithashtu Kurti tha se ky vendim vjen në të njëjtën ditë në Ditën e Forcës, në “ditën e ushtrisë të Kosovës”.

“Qeveria jonë ka treguar se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore dhe kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tonë që është katërfishuar, si me investime në armatim që janë shumëfishuar”.

Publikime te ngjashme