Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga ambasada turke në Kosovë, me rastin e “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” të Turqisë, ndërsa i vlerësoi shumë të rëndësishme raportet me Ankaranë.
Me këtë rast Kurti përkujtoi dëshmorët e demokracisë të cilët 8 vjet më parë, më 15 korrik 2016, i shpëtuan institucionet demokratike të shtetit të Turqisë të zgjedhura nga populli turk, nga një përpjekje e dështuar grusht-shteti.
“Mesnatën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016, populli i Kosovës ishte me popullin e Turqisë, sepse ne jemi dy popuj miq, shtetet tona janë partnere dhe aleate, kurse vendet tona ndajnë shumë të përbashkëta si nga e kaluara historike, ashtu edhe nga e tashmja e demokracive tona dhe e ardhmja e synuar prosperuese” tha kryeministri Kurti.
Kurti po ashtu nënvizoi marrëdhëniet e ngushta me Turqinë, si nga ana e rolit të Turqisë në NATO gjatë luftës në Kosovë dhe kontributit të ushtarëve turq në kuadër të trupave të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në Kosovë, e po ashtu dhe nga ana e lidhjeve e shkëmbimeve dypalëshe.
Më tej, kryeministri foli për vizitat në Turqi dhe takimet me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, organizimin e forumit të parë ekonomik Kosovë -Turqi teksa shkëmbimet tregtare që pritet ta kalojnë shifrën 1 miliard euro.
Po ashtu Kurti përkujtoi edhe vizitën në kompaninë e industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit “Baykar”, prej nga Kosova ka blerë dronët Bajraktar TB-2 për ushtrinë kosovare dhe kontributin historik e aktual të diasporës shqiptare në Turqi.
“Janë gjithë këto interesa dhe vlera të përbashkëta që na mbajnë të lidhur dhe në raporte miqësore dy vendet tona. Duke i qëndruar pranë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin, ne i mbrojmë republikat tona dhe vlerat e përbashkëta demokratike” përfundoi Kurti.