Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, filloi ditën duke bërë homazhe në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, në përkujtim të shqiptarëve të vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë më 30 prill 1999.
“Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.
Pas homazheve në Gllobar, ku nderoi nëntë të vrarët e atij fshati, dhe nderimeve për 60 të vrarët në Verboc, Kryeministri vendosi buqetë me lule edhe në fshatin Shtuticë. Aty, kryeministri Kurti nderoi 76 shqiptarët e vrarë gjatë luftës, ndër ta 32 të vrarë në masakrën e vitit 1999. Në mesin e tyre, dy janë ende të pagjetur.
Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e mbarë Kosovës, ai tha se Kosova jonë demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim edhe për përparim.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në Shtuticë bashkë me mësuesin Rifat dhe me shumë familje të dëshmorëve. Mësuesi Rifat ka qenë vet i plagosur. Në këtë fshat në të cilin janë gjithsej 76 shqiptarë të vrarë, dëshmorë e martirë, në vitin 1998 dhe 1999, ndërkaq para 25 vjetëve, pra me 30 prill 1999, këtu janë 32 të vrarë, dy janë ende të pagjetur.
Në gjithë këtë zonë me fshatrat Gllobar, Verboc, Baks e kështu me radhë, ku kanë qenë të strehuar popullsia civile, para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë.
Kosova sot është shtet demokratik me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, andaj kjo është një dëshmi që sakrifica ia ka vlejtur fortë edhe për çlirim edhe për përparim.
Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve të Shtuticës, Verbocit, Gllobarit, Baksit dhe mbarë popullit tonë ngado që ai është, me këto flijime kaq të mëdha, me çmim kaq të lartë për lirinë që e gëzojmë sot./Kosova Post